» Ministri Lleshaj i ftuar në emisionin “Java” në RTSH
Postuar më: 24/05/2019

Ministri Lleshaj i ftuar në emisionin “Java” në RTSH

VIDEO

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka qenë i ftuar në emisionin “Java” në TVSH, ku i pyetur nga analistët Lorenc Vangjeli dhe Preç Zogaj, ka folur rreth çështjeve që lidhen me protestat e opozitës, çështjet e rendit dhe sigurisë, zgjedhjet e 30 Qershorit, etj.

I pyetur rreth deklaratave të opozitës gjatë protestave për luftë për jetë apo vdekje, ministri Lleshaj u shpreh se thirrje të tulla janë pasoja të komunizmit, ku dhe pse ka kaluar gati 30 vjet nga ajo periudhë ngelet akoma persistente. “Sot një pjesë e politikës ende nuk e bën ndryshimin midis demokracisë dhe komunizmit, pra kanë ndryshuar pozicionet. Ato që komunizmi I bënte dje po tentojnë ti bëjnë ata sot në emër të një diçkaje tjetër, që është një gabim principa, i paimagjinueshëm. Unë shpresoj që këto deklarata të jenë në nivelin retorikës edhe pse kjo gjithashtu është e pa pranueshme. Vdekje nga ana tjetër domethënë nga forcat e sigurisë nuk mund të ketë, sepse ne operojmë në bazë të strategjisë 1-1-0, që do të thotë reago një çast më mbrapa me atë që ke përballë dhe një nivel më poshtë të dhunës ndaj atij që ke përball dhe zero viktima”, tha Lleshaj.

Në lidhje me vlerësimet dhe kritikat që i janë bërë policisë në këtë stinë protestash, ministri deklaroi se mbështet çdo polici, pasi jemi në një kohë të pa shembull protestash për nga dhuna dhe policia ka qenë në lartësinë e duhur.

I pyetur mbi përdorimin e gazit lotsjellës në protesta ministri tha se kjo është bërë me qëllim që të minimizohet kontakti i protestuesve të dhunshëm me policinë dhe për të shmangur viktimat. Ai kërkoi ndjesë në emër të Policisë Shqiptare por edhe të opozitës që nuk e ka këtë kurajo, çdo qytetari i cili është prekur sado pak nga gazi lotsjellës, të shkaktuar nga devijimi i protestave të dhunshme në vende të tjera. “Nga partnerët tanë ndërkombëtarë që asistojnë dhe monitorojnë policinë Shqiptare ekziston një vlerësim sipëror për menaxhimin e protestave”, theksoi ministri. Në lidhje me incidentin e ndodhur me Sekretarin Organizativ të PD, Sahir Dollapi, ministri Lleshaj tha se ishte një gabim i vogël për disa sekonda që nuk mund ta zbeh punën dhe sakrificën e Policisë së Shtetit. “ Po ju them pa tepruar asgjë, ata vetë kanë pranuar se duhet ta kishin bërë ndryshe, kanë qenë pak sekonda që mund të menaxhoheshin ndryshe”, tha ai.
Më tej ministri është shprehur se sikur të kishte pasur kompetenca operacionale mbi Policinë e Shtetit, nuk do të ishin vendosur forca shtesë tek godinat kushtetuese. “Godina kushtetuese të Shqipërisë duhet ti mbrojë Kushtetuta dhe ligji dhe nuk do i kisha lënë fare policët të luftonin aty me një marrëzi. Përmendët Francën, por është e paparë që të shkojnë tek institucionet kushtetuese, aq më tepër ai që nesër do të hyjë atje. Kam parë me trishtim disa ish-ministra të Brendshëm që sulmojnë institucionet kushtetuese. Ministri I Brendshëm që në 21 Janar rrinte në çatinë e Kryeministrisë, ankohet për ndërhyrjen time operacionale sot”, shtoi më tej Lleshaj.

I pyetur për pritshmëritë për protestën e 25 majit ai u shpreh se kjo mbetet në dorë të organizatorëve, të cilët në protestën e fundit, treguan se arrijnë ta menaxhojnë dhunën. “Shpresoj që protagonistët e protestave të kenë kuptuar mesazhin shumë të fortë, të paprecedentë që u dha përpara protestës, paradhënie që në mënyrë nominale ju kërkua dhe u thirr për përgjegjësi politike dhe personale. Nëse do ketë dhunë nesër e dinë ata, por më datën 13 maj ata dëshmuan që dhunën e kanë nën kontrollin e tyre, sepse pas thirrjeve të partnerëve ndërkombëtar për mospërdorim dhune, pati një rënie të madhe të përdorimit të molotovit, që ishte përgatitur por nuk u përdor”, tha Lleshaj.

Në lidhje me përdorimin e molotovit ministri theksoi se molotovi është prodhuar në mënyrë të organizuar, të qendërzuar është shpërndarë dhe është përdorur sipas një regjie të qartë dhune. Por kjo mbetet pjesë e hetimeve të nisura nga Policia e shtetit dhe Prokuroria, të clat po punojnë për identifikimin e autorëve.
Në lidhje me zgjedhjet vendore të 30 qershorit dhe kërcënimeve të opozitës për pengim të tyre, ministri i Brendshëm tha: “Pyetjen nëse do të ketë zgjedhje, dëshiroj ta përjashtoi për arsye se zgjedhjet i konsideroj krye institucioni i demokracisë, që është mbi të gjitha dhe kushdo që është poshtë tyre, as Parlamenti, as Presidenti, askush nuk mund ti prekë”. Ndërsa pyetjes nëse ka kapacitetet policia për ë përballuar skenarët e dhunshëm të 30 qershorit, Lleshaj u përgjigj se: “Sigurisht që policia ka kapacitetet për tu marrë me kriminelët se ky është tagri i Policisë: kriminelët. Policia nuk merret me qytetarët dhe popullin shqiptarë. Nëse populli shqiptar ka vendosur që ti bojkotojë zgjedhjet është e drejtë e tij, ama në qoftë se një tufë kriminelësh tentojnë të bëjnë vepra kriminale atëherë Po, policia i ka kapacitetet që të merret me kriminelët”.

Më tej ai shtoi se: Vullneti politik për të ruajtur rendin është i pacënuar sepse është detyrim kushtetues i policisë dhe i kujtdo. Policia e Shtetit jo vetëm që ka kapacitetin, po ka dhe detyrën e plotë për tu marrë me këtë çështje; Policia i ka të gjitha kapacitetet për të siguruar rendin dhe qetësinë publike në Shqipëri dhe e ka dëshmuar që me gjithë këtë ngarkesë të paprogramuar dhe ekstrakurikulare të protestës së tillë, policia ka arritur që të gjithë parametrat e rendit publik të jenë në përmirësim të vazhdueshëm”.

Sipas tij nuk mund të përsëritet më viti ’97, i cili sipas tij është një moment historik ku Shqipëria ka humbur sovranitetin, jo nga marrëzia e shqiptarëve, por marrëzia e drejtuesit të vetë. “Mençuria e shqiptarëve bëri që ajo mos të kalonte në marrëzi totale që të na çonte në luftë civile. Kontrollin e vendit e kanë marrë të huajt, sepse ne dorëzuam pushtetin tek ushtri të huaj, pavarësisht se ishim vende mike. Por nuk shkojmë kurrë sërish në diçka të tillë, sepse jemi në kushte krejtësisht të tjera dhe mbi të gjitha Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s , siguria e së cilës nuk mundtë minohet nga kurrkush”, theksoi ai.

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Aeroportin e Rinasit, ministri tha se hetimet janë në proces. “Sigurisht që ngjarja ka qenë e rëndë për arsye se është cënuar një nyje e rëndësishme e sigurisë së vendit, jo për herë të parë, po për të disajtën herë dhe ajo që e bën të ndryshëm këtë rast është reagimi i Policisë, i cili bëri të mundur që ngjarja të zbardhet në kohë rekord, të dokumentohet plotësisht gjithë autorësia, gjithë dinamika. Sigurisht procesi vijon sepse nuk besoj se do të jenë vetëm hajdutët përgjegjës për këtë, kur ndodh një ngjarje e tillë, hajdutët kanë përgjegjësinë e tyre por përgjegjësi kanë dhe rojet dhe besoj se dhe në këtë drejtim hetimet do të japin produktin e vetë. Janë marrë masa të mëdha që ngjarja të arkivohet në histori dhe garantojë dhe publikun që është arkivuar tashmë, nuk mund të ndodhi më një ngjarje e tillë për shkak të masave të marra, edhe në tejkalim të kontratës dhe të kushteve të saj, të cilat ishin mjaft të pakuptimta”, tha ai, duke shtuar se lajmi i mirë është që është shkatërruar një nga bandat më të rrezikshme të rajonit. “Kjo bandë ka shpërthyer një burg në një vend të Bashkimit Evropian, ka vjedhur banka në një vend të BE , ka vjedhur banka në Shqipëri , shkatërrimi i saj është fitore e madhe për rajonin”, tha ai.
Pyetjes nëse shpallja e listës së personave në kërkim nga Policia e Shtetit është shoqëruar me masa të tjera, Lleshaj u shpreh se është bërë një progres i jashtëzakonshëm në kapjen e këtyre personave.

“Gjatë këtij viti janë kapur 593 persona nga kjo listë që kanë qenë në kërkim kombëtar dhe 48 persona që kanë qenë në kërkim ndërkombëtar. Është një shifër e konsiderueshme, por është një proces i cili është në fillimin e tij. çdo drejtues policie i di tashmë me emër dhe me mbiemër atë kontigjent që i takon atij”, theksoi ai. Ministri u shpreh se ky program ishte shndërruar tashmë në një program kombëtar, ku secili drejtues ka një listë dhe se suksesi i çdo drejtuesi matet me atë listë. Ulja e listës rrit vlerësimin dhe anasjelltas.

“Është krijuar një strukturë e cila tashmë ndodhet në fazën e përmbylljes së trajnimit. Është një ekip “gjahtarësh” të cilët do të kenë vetëm këtë detyrë, do t’i ndjekin ku janë, në Shqipëri apo jashtë saj, por krijimi i kësaj strukture na bën që të kemi partneritet edhe me vendet ecropiane ku ka struktura të tilla”, u shpreh Lleshaj.

Ndërkohë, pyetjes se vjeshtën e kaluar, qoftë Kryeministri Rama, qoftë paraardhësi i tij kishin deklaruan se do të kishte një valë arrestimesh në Shqipëri, gjë që nuk ka ndodhur, ai u përgjigj se në 4 mujorin e parë të vitit 2019 janë shkatërruar 6 grupe të mëdha të krimit të organizuar, me numër të madh anëtarësh, janë arrestuar 66 anëtarë të këtyre grupeve të organizuara dhe 1887 persona të arrestuar për krime të rënda.

I pyetur se si qëndron e vërteta dhe ku kemi të bëjmë me preceptim lidhur me kultivimin e kanabisit, ndonëse historia e kanabisit e prodhimit të tij e kultivimit të tij, ngjan si një pjesë që i përket të shkuarës, Shqipëria po hyn në vargun e vendeve që po përmendet për trafikun e drograve të forta kryesisht kokainës, ministri Lleshaj shpjegon që : “Shqiptarët janë të vonuar në të gjitha aspektet edhe tek e mira edhe tek e keqja, edhe kultivimi I kanabisit dhe aspektet kriminale lidhur me drogën kanë hyrë në Shqipëri pas 90-ës, shqiptarët nuk janë protagonistët dhe e keqja e Evropës. Si të ardhur rishtas në skenat kriminale në Evropë bien në sy më shumë, jo se janë më të rrezikshmit dhe të mëdhenjtë pasi nuk kanë patur mundësi financiare për të qenë pjesë e tregut. Përqindja e shqiptarëve në këtë skenë krimi (tregun e kokainës) është jashtëzakonisht e vogël”.

I pyetur nëse mafia shqiptare në Evropë është një ekzagjerim apo një realitet, ministri Lleshaj argumentoi se : “Mafie fillestare agresive, që tenton të fitojë terren në një treg që është i zënë nga të tjerët dhe për këtë arsye shqiptarët bien në sy sepse bëjnë më shumë luftë për tu bërë pjesë e tregut, por jo se dominojnë skenat, do të ishte naivitet po të pranohej kjo. Janë në një tentativë për ekspansion”. I pyetur mbi raportin me Presidentin e Republikës dhe refuzimin e tij për ti shkuar në zyrë, në një kohë kur ende nuk ishte dekretuar si Ministër i Brendshëm, Lleshaj shpjegoi se: “Një histori kjo e arkivuar, nuk kam asnjë lloj raporti në kuptimin e një dinamike pune me Presidentin e Republikës. I vetmi komunikim që mund të kishim teorikisht ishte momenti në kuadrin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare që në fakt s’ka ndonjë dinamikë komunikimi, pra nuk kam patur komunikim me Presidentin”.