Riatdhesohen 29 shtetas nga Franca, mes tyre një familje me 5 anëtarë. Deportohen nga vendet e BE-së 17 shtetas të tjerë shqiptarë - Ministria e Brendshme
Postuar më: 17/07/2019

Riatdhesohen 29 shtetas nga Franca, mes tyre një familje me 5 anëtarë. Deportohen nga vendet e BE-së 17 shtetas të tjerë shqiptarë

Rinas – Vijonë operacionet e përbashkëta të riatdhesimit të shtetasve shqiptarë të cilëve u është refuzuar azili në vendet e BE-së.
Riatdhesohen 29 shtetas nga Franca, mes tyre edhe një familje me 5 anëtarë, si dhe deportohen nga vendet e BE-së edhe 17 shtetas të tjerë shqiptarë.

Policia Kufitare në bashkëpunim me Policinë Franceze, kanë vijuar operacionet e përbashkëta të riatdhesimit, ku nëpërmjet dy fluturimeve me charter nga Franca janë riatdhesuar 29 shtetas shqiptarë, të cilëve u është refuzuar azili në Francë, në njërin prej fluturimeve një familje me 5 anëtarë.

Gjithashtu janë deportuar nga vendet e BE-së edhe 17 shtetas të tjerë me motivin ‘‘Qëndrim i parregullt në territor”, ”Përfunduar vuajtjen e dënimit në vendet e BE -së”, ”Tentativë kalimi ilegal për në Mbreterinë e Bashkuar”, ”Tejkalim i afatit të qëndrimit në territor” dhe ”Refuzim azili në vendet e BE-së”.

Operacionet e riatdhesimit do vijojnë edhe në javët e ardhshme dhe në këtë kontekst, Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë për në vendet e BE-së që të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Schengen, si dhe mos bëjnë asnjë tentativë për të kërkuar azil, pasi shanset për t’a fituar atë janë zero.

Njëkohësisht Policia Kufitare në pikat e kalimit do vijojë me kontrollet rigoroze në drejtim të verifikimit të dokumentacionit dhe plotësimit të kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe të kontrollit më të rreptë të kufirit jeshil.